Konjufca: Synimi është mbajtja e veriut jashtë rendit dhe ligjit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dënuar ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren.
Ai u ka uruar shërim të shpejtë 25 ushtarëve të KFOR-it të lënduar gjatë përleshjes me serbët e mbledhur.
“Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Ndërkohë u ka bërë thirrje ambasadave të vendeve mike, ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë.
Gjithashtu, u ka bërë thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit,
“Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet!”, ka deklaruar kreu i Kuvendit.