Konjufca: S’ka hendek kushtetues me dorëheqjen e Listës Serbe

Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë që e dorëheqjen e Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës nuk ka kurrfarë rrezikimi të rendit kushtetues.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se mund të cilëson se deri me tani në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur ndonjë dorëheqje më të madhe se kjo.

“Më këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rëndit Kushtetues. Unë mendoj që krejt çka ka ndodhë është kuantitivisht na ka ndodhur një dorëheqje më e madhe sepse në Kuvendin e Kosovës nuk kemi pasur një dorëheqje të tillë, mirëpo në aspektin procedural, ligjor dhe kushtetues është e njëjta procedurë e ndërrimit siç ndodh edhe me deputetët tjerë që për shkaqe të ndryshme nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës”, tha Konjufca.

Konjufca garantoi qytetarët që me dorëheqjen e deputetëve të Listës Serbe nuk është prekur rendi kushtetues.

“Nuk ka asnjë hendek kushtetues dhe nuk rrezikohet Kuvendi i Republikës së Kosovës e as nuk mund ta sfidojnë nëse ky ka qenë qëllimi. Nuk po dua të paragjykojë por edhe nëse ju doni të spekuloni që ky ka qenë qëllimi që të dëmtohet rëndi kushtetues i Kosovës, unë mund t’i garantojë qytetarët që rendi kushtetues me këtë dorëheqje nuk preket aspak”.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës tregoi edhe për procedurat e zëvëndësimit të deputetëve të cilët tashmëkanë ofruar dorëheqjet e tyre.

“Ligjit thotë se karakteri i dorëheqjes së tyre është i parevokueshëm e kështu ne do t’i procedojmë sipas ligjit të Kosovës. Ligji i Kosovës thotë që ata duhet të zëvendësohen. Unë do t’i drejtohem presidentes së vendit e procedurat tjera thonë që presidentja do t’i drejtohet KQZ-së dhe pastaj KQZ-ja i përgjigjet asaj me propozimet e reja të cilat vijnë prapë nga e njëjta listë. Pastaj edhe nëse ata refuzojnë, procedura përsëritet për tjerë që janë më radhë”.

Konjufca tha se fakti që Kuvendi ka vetëm 110 deputetë për momentin, nuk është jokushtetuese.

“Tani që janë 110 deputetë në Kuvend dhe nuk janë 120 nuk është aspak jokushtetuese. Këto i parasheh kushtetuta si mundësi dhe i sqaron të gjitha procedurat për zëvendësimin e tyre. Ne nuk jemi në një krizë kushtetuese pas kësaj dorëheqje por jemi në procedurat normale të zëvendësimit të tyre”.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.