Komandanti ukrainas: Rusët shkelën premtimin e armëpushimit, lufta e ashpër po vazhdon

Një komandant ukrainas brenda rrënojave të kompleksit Azovstal në Mariupol ka regjistruar një video mesazh duke thënë se luftimet e ashpra vazhdojnë.

“Është dita e tretë që armiku depërton në territorin e Azovstal. Lufta e ashpër e përgjakshme po vazhdon,” tha Sviatoslav Palamar, zëvendëskomandanti i regjimentit Azov .

Ai tha se rusët kishin thyer zotimin e tyre për të lejuar civilët të largoheshin përmes korridoreve të evakuimit të enjten.

“Edhe një herë, rusët shkelën premtimin për një armëpushim dhe nuk lejuan evakuimin e civilëve që vazhdojnë të fshihen në bodrumet e uzinës Azovstal. I bëj thirrje komunitetit botëror të evakuojë civilët”, tha Palamar.

Ai gjithashtu i bëri një thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që të kujdeset për ushtarët e plagosur që po vdesin.

“Përgjigjuni në mënyrë të përshtatshme ndaj një situate kritike në të cilën armiku nuk respekton asnjë normë etike.”

Pasi rreth 100 civilë ishin në gjendje të largoheshin nga uzina të dielën, asnjë nuk është shfaqur që atëherë. Mendohet se janë 200 deri në 300 civilë ende brenda uzinës, duke përfshirë 30 fëmijë. Që nga e diela është bombarduar nga toka, deti dhe ajri.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë raportet të enjten se ushtria ruse kishte hyrë në territorin e uzinës, duke thënë se urdhri i presidentit rus Vladimir Putin për të shmangur sulmin ndaj uzinës ishte ende në fuqi.