KFOR-it i shqetësuar për ngjarjet në Kosovë: Do të veprojmë në mënyrë të paanshme

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Mikele Ristuca, i cili u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, deklaroi se është i shqetësuar për ngjarjet në Veri të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit, kur disa anëtarë të atij misioni u plagosën gjatë “një sulmi”.

Pas takimit me Vuçiqin, Ristuça është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, me të cilin ka biseduar për rinovimin e bashkëpunimit.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Ristuca dhe Mojsiloviq janë pajtuar që të gjitha palët duhet të deeskalojnë tensionet, transmeton Kosova Online.

“KFOR-i është i gatshëm të përballet me çdo skenar dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren. Ne vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, brenda rregullave strikte të angazhimit dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e mandatit tonë bazuar në rezolutën 1244, në mënyrë që të sigurojmë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Shtohet se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe EULEX-in.