Këtë herë “Salla 1 Tetori” në Prishtinë nuk shfrytëzohet për votim, KQZ tregon arsyen

“Salla 1 tetori”, Prishtinë

Për dallim nga zgjedhjet paraprake, “Salla 1 tetori” në Prishtinë në zgjedhjet lokale të së dielës nuk është shfrytëzuar për votim.

Qytetarët që ju kanë drejtuar kësaj salle me qëllimin për të votuar, janë kthyer mbrapsht.

Kjo pasi që nga fillimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19, kjo sallë është shfrytëzuar si qendër për imunizimin e qytetarëve.

Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Sipas ka bërë të ditur ai, janë rreth katër mijë e 300 qytetarë me të drejtë vote, të cilët janë transferuar për në Fakultetin e Edukimit.

“Fatmirësisht prej të gjitha qendrave që shfrytëzohen për vaksinim, vetëm salla 1 tetori është shfrytëzuar si qendër votimi në zgjedhjet e mëhershme, ndërsa në komunat tjera qendrat që shfrytëzohen për vaksinim, nuk shfrytëzohen nga KQZ-ja për procesin zgjedhor”, tha Elezi.

Gjithsej janë rreth 196 mijë prishtinas me të drejtë vote.