KEDS: Në Mitrovicë e Skenderaj furnizimi me energji elektrike është stabil

Pas vërshimeve dhe reshjeve që ndodhën ditën e enjte, gjendja e furnizimit me energji elektrike në Mitrovicë dhe Skenderaj është stabile.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga KEDS-i.

“Falë punës së pandërprerë të ekipeve të terrenit të KEDS-it, shumica e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet tashmë janë riparuar. Në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilat u prekën më së shumti nga këto vërshime, gjendja me furnizim me energji elektrike është stabile”.

Sipas KEDS-it, ka mbetur vetëm një zonë e vogël në Skenderaj pa furnizim për shkak të përmbytjeve të mëdha, megjithatë pritet që nesër edhe kësaj zone t’i kthehet furnizimi i rregullt me energji.

Po ashtu është bërë e ditur se në anën tjetër, ekipet e terrenit gjenden akoma në Rugovë në kërkim të prishjes që ka ndodhur në rrjet për shkak të borës së madhe dhe kushteve të papërshtatshme në terren.