Kandidati serb në Mitrovicën e Veriut shkon të votojë me stiker në gojë

Fotogarfia e liderit të Iniciativës “Srpski Opstanak”, Dushan Millunoviq, me stiker në gojë, që po qarkullon në rrjete sociale

Lideri i Iniciativës “Srpski Opstanak”, Dushan Millunoviq, është fotografuar në një nga qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut.

Ajo çka ka tërhequr më shumë vëmendje te paraqitja e tij ishte pasi i njëjti është shfaqur me stiker të vendosur në gojë.

Ndonëse nuk dihet arsyeja pse Millunoviq ka vendosur të shfaqet në këtë formë, çështja e stikerit apo letrës ngjitëse ishte aktuale javë më parë, kur në Bruksel është arritur marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e përkohshëm të regjimit të letrave ngjitëse në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë e Serbi.  

Sot po mbahen zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, deri më tani pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve është shënuar në Mitrovicën Veriore.

Deri në orën 11:00, rreth 31 për qind e votuesve të kësaj komune kanë dalë për të votuar, ose pesë mijë e 486 votues.