Izraeli ofron dëmshpërblim në këmbim të pengjeve në Gaza

Izraeli u ka bërë të ditur ndërmjetësuesve të Katarit se mund të ofrojë para në këmbim që Hamasi të lirojë “një numër të konsiderueshëm pengjesh”. Këtë e ka bërë të ditur transmetuesi publik izraelit Kan. Sipas informacioneve televizive, të cituara nga media të tjera në vend, një burim politik i paidentifikuar nuk specifikoi se cili mund të jetë ky kompensim, megjithëse duket se përjashtohet që mund të jetë karburanti: komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta kërkojë atë, pasi është thelbësore aktivizimi i sistemeve të furnizimit me energji dhe ujë të Rripit të Gazës, të cilat janë plotësisht në kolaps dhe kanë çuar në paralizim të funksionimit të spitalit por edhe të punës ndihmëse të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinez (UNRWA). Zyrtarisht, Izraeli ka pohuar se nuk është i gatshëm të bëjë asnjë shkëmbim për të siguruar lirimin e mbi 200 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, autori i sulmit terrorist më të madh në historinë e shtetit hebre, në të cilin vdiqën mbi 1400 njerëz. Pavarësisht këtij qëndrimi të fortë zyrtar, mediat izraelite thonë se është e paqartë nëse autoritetet kanë dhënë apo jo ndonjë lloj kompensimi për lirimin e katër pengjeve nga Hamas, një nënë dhe vajzën e saj, të dy shtetas amerikanë dhe dy gra të moshuara izraelite.