Izraeli bombardon ushtrinë siriane, pas sulmeve me raketa
Ushtria izraelite tha se avionët e saj goditën infrastrukturën e ushtrisë siriane dhe bateritë e mortajave herët të mërkurën, në atë që e cilësoi si një përgjigje ndaj sulmeve me raketa nga Siria në drejtim të Izraelit.
Izraeli tha se kishte identifikuar dy lëshime raketash nga Siria që kishin goditur në zona të hapura vonë të martën, dhe se ajo ishte përgjigjur me zjarr artilerie ndaj objektivave që kishin lëshuar raketat. Në një përgjigje të mëtejshme, ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë “goditën infrastrukturën ushtarake dhe bateritë e mortajave që i përkisnin ushtrisë siriane”.
Izraeli nuk dha detaje të tjera dhe nuk e akuzoi ushtrinë e Sirisë për lëshimin e dy raketave, të cilat shkaktuan ndezjen e sirenave të alarmit të martën në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli. Deri në publikimin e lajmit nuk ka pasur reagime nga Siria.
Izraeli ka shkëmbyer zjarr ditët e fundit me Hezbollahun në Liban dhe militantët në Siri, një konflikt më i gjerë në kufirin e tij verior ndërsa lufton me militantët islamikë të Hamasit në Rripin e Gazës pas një sulmi vdekjeprurës në Izrael. /VOA