Ish-ministri suedez reagon për situatën në veri të Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Bildt tha se krizat po krijohen përsëri në veri e Kosova po synon që të paraqesë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë ditëve në vazhdim.

“Dhe kriza po krijohet përsëri në veri . Gjërat do të nxehen gjithashtu ndërsa Kosova synon të paraqesë aplikimin në disa ditët e ardhshme”, shkroi Bildt.

Bildt theksoi se përpara çdo aplikimi duhet të ketë marrëveshje që duhet respektuar dhe hapa të vështirë për të marrë.

Vlen të theksohet se këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet që të takohen me krerët e shtetit të Kosovës.

Siç raporton REL, takimet e ndërkombëtarëve me qeveritarët do të zhvillohen në orët e pasditës ndërsa, me krerët e opozitës do të takohen ditën e marte.

Ky takim në mes udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikan erdhi në kohën kur veriu i vendit është i tensionuar.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.