Ish-krerët e komunave veriore, pjesë e barrikadave në veri

Tek barrikadat të cilat janë ngritur në rrugët kryesore nga Zveçani në drejtim të Rudarit janë parë edhe ish-krerët e komunave veriore.
Mediat serbe raportojnë që në mesin e qytetarëve të pranishëm që tashme kanë ngritur edhe tendat e tyre në këto rrugë, janë ish-kryetari i Mitrovicës veriore, Aleksandar Spiriq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, drejtori i Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zlatan Elek si dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Milan Ivanoviq.
Afër barrikadave shihen shumë njerëz teksa mbulojnë fytyrat e tyre, raportimi i gazetarëve nga vendi i ngjarjes nuk është i lejuar nga serbet pasi të njëjtit sulmojnë gazetarët duke hedhur lëndë shpërthyese afër tyre dhe duke i ndjekur.
Barrikadat janë vendosur me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet. Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.
Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.
Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.