Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron vërshime në disa zona të Kosovës

Për shkak të reshjeve të shiut që kanë kapluar pjesën më të madhe të vendit ditëve të fundit e të cilat pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe nesërme, IHK-ja ka paralajmëruar vërshime në disa zona të Kosovës.

Sipas IHK-së, më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit.

Po ashtu është bërë e ditur se këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.