Hovenier: Zbatimi i marrëveshjes zhbllokon të ardhmen e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit me Serbinë, zhbllokon të ardhmen e Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Kosovës për t’i realizuar përparësitë e përbashkëta.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kritik për të zhbllokuar të ardhmen e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga përparësitë tona kryesore, të përbashkëta: garantimin që Kosova të marrë vendin e saj të duhur në institucionet europiane dhe euro-atllantike”, shkroi Hovenier.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.