Hoti kritikon Qeverinë: Nuk dinë se çfarë bëjnë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të Albin Kurtit, në lidhje me qëndrimin e Antony Blinken, për situatën në veri.
Blinken, tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.
Ndërsa, këtë deklaratë Kurti e ka quajtuar “të padrejtë, të gabuar, lënduese dhe shumë naive”.
Lidhur me këtë, Hoti ka thënë se “pushtetarët e Kosovës në sinkron replikojnë me Sekretarin Blinken se ai është naiv e nuk është i informuar për kontekstin politik në veri”.
“Ushtarët amerikan janë çdo ditë në veri, si pjesë e KFOR-it, duke e siguruar paqen. Para një kohe, vetë kreu i qeverisë kishte deklaruar se Ambasadori Amerikan e kishte informuar për gjëra lidhur me zhvillimet në veri që ai nuk i kishte ditur, edhe pse AKI-ja është në teren dhe e ka për detyrë të kuptojë se çfarë ndodh e çfarë pritet”, ka shkruar Hoti.
“Zoti na ruajtë, se këta nuk dinë çfarë bëjnë”, vazhdon ai.