Hill: Duam zgjedhje politike për ta qetësuar situatën në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka thënë se ajo që duan ata është një zgjedhje politike për të qetësuar gjithçka dhe për të kthyer në një gjendje normale.

Përmes një emisioni në Serbi, Hill tha se është i shqetësuar lidhur me krizat që po ndodhin në mes Kosovës dhe Serbisë.


“Ajo që duam të shohim është një rrugë politike për të qetësuar gjithçka, për ta kthyer atë në një gjendje normale. Këto janë sfida të mëdha dhe ndërkohë kemi një krizë. Problemi me të paturit e një krize është se po bëhet më e vështirë për t’u parashikuar. Mund t’ju ndodhë që ka ngjarje shumë të papritura në fund dhe kjo zakonisht është e keqe për një krizë, kështu që unë jam me të vërtetë i shqetësuar”, tha Hill.

Krahas kësaj, Hill tha se është i kënaqur që po hiqen barrikadat nga veriu i Kosovës.

“Dhe kjo është ajo që ndodhi përfundimisht. Kështu që unë mendoj se ne jemi shumë të kënaqur në këtë drejtim që ata po hiqen,” tha Hill.

“Është një proces i Brukselit dhe Bashkimi Evropian është në krye dhe përfaqësuesit, ndërmjetësit e kanë bërë të qartë se Bashkësia e Komunave Serbe duhet të zbatohet dhe se po ecën përpara. Jam i vetëdijshëm se ndoshta jo të gjithë e shikojnë kështu, por kjo ndodh në negociata. Ju vetëm duhet të dëgjoni të dy palët dhe të thoni: dëgjoni, ne mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara dhe kjo është ajo që ata duhet të bëjnë”.

Barrikada e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë është larguar plotësisht.

Pas orës 20:00 janë larguar edhe mjetet e fundit nga rruga afër Shkollës së mesme teknike në këtë lagje.

Krahas kësaj, heqja e barrikadave ka filluar edhe në pjesët e tjera në veri të vendit ku ishin vendosur gjithsej 12.

Por edhe pse ka filluar heqja e tyre, kufijtë qëndrojnë ende të mbyllur dhe nuk ka ndonjë informacion se kur do të vazhdojë normalizimi i pikave kufitare.

Pika kufitare në Merdarë e cila ishte e mbyllur për shkak të barrikadave tani është e hapur, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Jarinjën dhe Bërnjakun.

Kujtojmë se ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që ditën e djeshme ka paralajmëruar se të enjten do filloj largimi i barrikadave në Kosovë. Ai shtoi se largimi i tyre mund të zgjas për 24 ose 48 orë.

Bllokimi i rrugës, si pasojë e barrikadave ka shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tash e më shumë se dy javë mbeten të mbyllura.

Ishte 10 dhjetori kur u bë vendosja e parë e barrikadave, në zonat afër Zveçanit dhe në Leposaviq.

Qëllimi ishte që të bllokohet rruga për të transferuar nga stacioni në Leposaviq, ish-policin serb që ishte arrestuar, Dejan Pantiq.