Haradinaj – Kurtit: Ndërprite shkatërrimin e vendit, ose të ndërpresim ne

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për situatën në veri, ku Lista Srpska ka vendosur të largohet nga institucionet.

Ai ka thënë se Kurti duhet të ndërpresë shkatërrimin e vendit, ose siç tha ai do të detyrohen që të ndërpresin ata.

“Sot me Këshillin e Përgjithshëm të Aleancës, riafirmuam vendosmërinë tonë për mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës dhe orientimin proamerikan. Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara. Kosova është shtet i të gjithëve, e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse.

Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, ka shkruar ai.

Lista Serbe vendos t’i bojkotojë institucionet e Kosovës – SHQIP.com

Lista serbe ka bërë të ditur se sot kanë vendosur që të bojkotojnë të gjitha institucionet politike në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.

Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Ai tha se kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administratat në Kosovë

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.