Haradinaj kërkon reagimin e ndërkombëtarëve për referendumin serb

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë përkrahjen e tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Qeverinë sa i përket vendimit për mos-lejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

I pari i AAK-së në fjalimin e tij në Kuvend, ka ftuar edhe partnerët ndërkombëtarë që të përkrahin këtë qëndrim të Kosovës, si një qëndrim parimor.

Po ashtu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues.

“AAK vlerëson se referendumi kushtetues i Serbisë në territorin e Kosovës është jo kushtetues dhe jo ligjor. Votimi me postë dhe në zyrën ndërlidhëse përmbush standardet ndërkombëtare”.

“AAK kërkon nga institucionet e Kosovës të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues. AAK fton qytetarët që të respektojnë ligjet e Kosovës. Ne si AAK ftojmë Bashkësinë Ndërkombëtare ta përkrahin Kosovën”, ka thënë Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për referendumin serb.