Haradinaj: Agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit.

Haradinaj ka thënë se fatkeqësisht ky agresion vazhdon nga Putini dhe aleatët e tij në shtetet tjera edhe me pozicionin e tij për armët bërthamore.

“Bota demokratike tashmë e di se agresorët si Millosheviqi dhe Putini janë kundër vlerave tona të përbashkëta dhe të njëjtit i humbin luftërat”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së, ka bërë të ditur, se vitin e kaluar ka theksuar se Kosova nuk mund të pres pafundësisht për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veriatlantike.

“Me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Sigurisë si dhe të procedohet në Kuvend, ligji për Fondin për Mbrojtje (donacionet për Ushtrinë e Kosovës)”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se të gjitha këto, krahas anëtarësimit tonë në NATO, do të krijojnë një realitet të ri të sigurisë në rajon dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Për këto arsye do të kërkoj debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend. Kjo situatë nuk duhet ta gjejë në gjumë qeverinë aktuale, por e njëjta duhet të angazhohet që këtë situatë ta shfrytëzojë sa më mirë, në dobi të Kosovës dhe qytetarëve”, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj./Shqip.com