Hamasi akuzon Izraelin: Vidhen organet nga 80 kufoma palestineze


Zyra e Shtypit e Qeverisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, akuzoi Izraelin për vjedhje të organeve nga 80 trupa palestinezë të kthyer dje në pikën kufitare Kerem Shalom. Sipas lëvizjes islamike, Izraeli “vodhi dinjitetin e 80 martirëve” duke i kthyer “të gjymtuar”, thuhet në një deklaratë të cituar nga mediat arabe. “Ekzaminimi i trupave tregon qartë se pushtuesit izraelitë ua vodhën organet jetësore”, thuhet në shënimin e Hamasit duke pretenduar se nuk është hera e parë që Izraeli “gjymton” trupat palestineze dhe bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për incidentin. Mediat izraelite raportojnë se kufomat e 80 palestinezëve të vrarë në Gaza janë kthyer dhe varrosur në një varr masiv në Rafah, pasi u larguan nga morgjet dhe varret dhe u dërguan në Izrael për të verifikuar se mes tyre nuk kishte asnjë peng.