Grandi: Mbi 150 mijë refugjat janë larguar nga Ukraina

Komisioneri për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi përmes një postimi në Twitter e ka konfirmuar se mbi 150 mijë persona janë larguar nga Ukraina.

Grandi ka thënë se edhe numri i personave që po lëvizin brenda Ukrainës është i madh.

“Më shumë se 150,000 refugjatë ukrainas kanë kaluar tani në vendet fqinje, gjysma e tyre në Poloni dhe një pjesë e madhe në Hungari, Moldavi, Rumani dhe më gjerë. Zhvendosja e qytetarëve brenda Ukrainës po rritet gjithashtu, por situata ushtarake e bën të vështirë vlerësimin e numrave dhe dhënien e ndihmës”, ka shkruar ai.

Refugjatët janë duke u larguar nga shtëpitë e tyre pasi forcat ruse janë duke zhvilluar një operacion pushtimi në Ukrainë. 

Forcat ruse kanë bombarduar edhe infrastrukturën civile.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka urdhëruar trupat ruse të marshojnë drejt kryeqytetit të Ukrainës për të përmbysur regjimin politik, të cilin e konsideron kriminal./Shqip.com