Gjermania ndryshon politikën pasi dërgon tanke kundërajrore në Ukrainë

Ministrat e mbrojtjes nga vendet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian janë takuar sot në bazën ajrore të Shteteve të Bashkuara në Ramstein, Gjermania jugperëndimore, për të diskutuar ofrimin e më shumë mbështetjes për Ukrainën.

Një ndryshim i madh politikash u njoftua nga qeveria gjermane, e cila ka autorizuar furnizimin me rreth 50 tanke kundërajrore Gepard Flakpanzer, raporton BBC.

Të mbajtura në ruajtje për dekadën e fundit, ato do të marrin përmirësime teknike përpara se të dërgohen në Ukrainë.

Gjermania ka pasur prej kohësh një politikë të mos dërgimit të armëve të rënda në zonat e konfliktit, por qeveria e saj është nën presion në rritje për të ofruar më shumë ndihmë për Kievin.

Duke bërë njoftimin, ministrja e mbrojtjes e vendit, Christine Lambrecht, tha se Gjermania “do të shqyrtojë të gjitha mundësitë se si mund ta mbështesim më tej Ukrainën në luftën e saj të guximshme dhe të rëndësishme për liri dhe paqe”.