Escobar paralajmëron largimin e barrikadave

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka thënë se është optimist për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Ai thotë se nuk është caktuar një afat për heqjen e barrikadave dhe kthimin në institucione, por thekson se pret që kjo të bëhet “në një të ardhme të afërt, pra për disa ditë”.

Escobar nuk zbuloi detajet e bisedimeve të sotme me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, por tha se prioriteti është gjetja e një zgjidhjeje për të gjithë rajonin, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovë.

“Nuk dua të hyj në detaje të bisedës, por më duhet të them se ka elementë për optimizëm. Përveç kësaj, dua të them se ne nuk kemi nevojë vetëm për një zgjidhje të kësaj krize aktuale, ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam ta kthejmë këtë krizë në një mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, theksoi Escobar.

Ai shton se pritshmëritë e SHBA-së janë që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i vendosin.

“Ne dëgjuam shqetësimet e tyre. Ato janë legjitime. Ne duam të punojmë me komunitetin serb në veri të Kosovës, për të përmbushur kërkesat e tyre. Ka një mënyrë për të ecur përpara, ashtu siç ka një arsye pse vendosin barrikadat dhe pse do t’i heqin ato. Po ashtu serbët duhet të kthehen në institucionet e përbashkëta, sepse ata janë të nevojshëm atje. Mendoj se në të ardhmen e afërt, kjo do të ndodhë”, thotë Escobar.

Ai ka përsëritur se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e ushtrisë serbe në veri të Kosovës”.

Escobar thekson se deklarata “Kosova ka garanci sigurie nga SHBA-të” nuk është kërcënim për Serbinë dhe se këto garanci vlejnë edhe për serbët në Mitrovicën e Veriut.

Ai e sheh të ardhmen e përbashkët të të dy popujve në BE, si dhe se e ardhmja e përbashkët ekonomike do t’i lejojë fëmijët e qytetarëve të qëndrojnë në vendet e tyre, raporton N1.