Erdogan do t’i thotë Putinit ta ndalë luftën në Ukrainë në një bisedë të dielën
Presidenti turk Taip Erdogan do t’i thotë homologut të tij rus Vladimir Putin të dielën që të ndalojë pushtimin rus në Ukrainë, tha një zëdhënës i Erdoganit, ndërsa shtoi se është naive të pritet që bisedimet midis Moskës dhe Kievit të jepnin rezultate ndërsa luftimet vazhdojnë.
Anëtari i NATO-s, Turqia ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka lidhje të mira me të dy vendet. Ankaraja ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës, por gjithashtu e përshkroi pushtimin e saj në Ukrainë si të papranueshëm, bëri thirrje për një armëpushim dhe ofroi t’i mbajë bisedimet e paqes, raporton Reuters.
Duke folur për gazetarët në Stamboll, zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalin tha se Erdogan do t’ia përsëriste këtë ofertë Putinit në një telefonatë të dielën. Ai do t’i kërkonte Putinit “t’i japë një shans” armëpushimi, të ndalojë sulmet e tij dhe të ndihmojë në ngritjen e korridoreve të nevojshme për evakuimin e civilëve dhe dërgesat e ndihmave.
“Ne jemi duke u fokusuar në hapat që mund të ndërmarrim këtu për t’i sjellë palët në tryezën e bisedimeve dhe për të bindur palën ruse (të ndalojë)”, tha Kalin, duke shtuar se ishte e rëndësishme që Moska të kishte një homolog të besueshëm për të biseduar me përderisa Perëndimi kishte “djegur urat” me të.
“Ky rrjet besimi (me Rusinë) duhet të mbahet absolutisht i hapur që këto bisedime, diplomacia të ketë sukses,” tha ai. “Përndryshe do të jetë e pamundur që i gjithë rajoni, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, të shpëtojnë nga ky shkatërrim”.
“Ne nuk kemi plane për sanksione tani… Ne nuk duam të shtyhemi në një pozicion ku bëhemi palë në luftë. Ne duhet të jemi në gjendje të flasim me të dyja palët.”
Turqia ka krijuar bashkëpunim të ngushtë me Rusinë në mbrojtje, energji dhe tregti dhe mbështetet shumë te turistët rusë. Por, ajo i ka shitur edhe dronë Kievit, duke zemëruar Moskën dhe kundërshton politikat ruse në Siri, Libi dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Ankaraja ka thënë se dëshiron të mbledhë së bashku ministrat e jashtëm nga Ukraina dhe Rusia për bisedime në një forum diplomacie javën e ardhshme në Turqinë jugore. Si Ukraina ashtu edhe Rusia janë shprehur të hapur ndaj bisedimeve të tilla.
Erdogan, i cili shpesh ka përshëndetur marrëdhënien e tij me Putinin, foli për herë të fundit me liderin rus më 23 shkurt, një ditë para se Moska të niste atë që ajo e quan një “operacion special” në Ukrainë.
Kalin përsëriti se Turqia nuk mund të braktisë lidhjet me Kievin apo Moskën. Ai tha se Ankaraja ishte në kontakt me ekipet negociuese të të shteteve dhe se do të fliste me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të tjerë të shtunën.
“Ndërsa këto sulme intensive vazhdojnë në qytetet e Ukrainës, do të ishte naive të pritej një rezultat konkret e detyrues që do të ndikonte pozitivisht në situatën në terren”, tha Kalin.