Daçiq: I kemi vijat tona të kuqe, s’ka njohje të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia ka vijat e kuqe të saj.
Në një emision për mediumin serb, RTS, Daçiq tha se ato vija parashohin mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe moslejimin që e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Në ditët e ardhshme Serbia do të presë “kondensimin e llojeve të ndryshme të presioneve, por se Serbia ka vija të kuqe mbi të cilat nuk do të kalojë. Cilat janë vijat tona të kuqe: Së pari nuk ka negociata mbi atë për të cilën kemi rënë dakord tashmë. Nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës, pra anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Së treti, nuk ka sulme fizike apo rrezikim të sigurisë së serbëve. Këto janë vijat tona të kuqe”, tha Daçiq.
Daçiq tha se serbët në veri të Kosovës nuk do të mbetën pa mbështetjen e Serbisë.
“Ata nuk do të mbeten pa mbështetjen e vendit të tij. Ata mund të jenë të sigurt se ne do të investojmë përpjekjet maksimale diplomatike, shpresoj vetëm diplomatike e politike, për të mbrojtur popullin tonë në Kosovë”.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet. Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.
Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.
Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.