Çitaku: Sovraniteti i rëndësishëm, por edhe aleancat me SHBA dhe BE

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka komentuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar në Bruksel.

Përmes një postimi në Twitter, Çitaku është shprehur se Sovraniteti është i rëndësishëm por edhe aleancat me SHBA-në dhe BE-në.

“Si kaluam nga diskutimi për normalizimin dhe njohjen reciproke, në grindjet e vogla për targat?! Sovraniteti është i rëndësishëm, por edhe aleancat me SHBA-në dhe BE-në” ka shkruar Çitaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në fjalën e tij, Kurti ka akuzar Josep Borrell për mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra po vimë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Nga nesër të gjithë automjetet me targa ilegale në veri të vendit pritet të gjobiten nga ana e Policisë së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Shqip.com.

“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj  zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Shqip.com.

Shqip.com ka pyetur Policinë e Kosovës për numrin e forcave policore të cilat pritet të jenë të  angazhuar në teren, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.