Burri ukrainas lë djalin një muajsh dhe niset për luftë: Do të luftoj deri në fund

Alex Dayrabekov

Alex Dayrabekov, babai i një foshnje një muajsh, ka rrëfyer për CNN se si është të jetosh në një zonë lufte.

Dayrabekov tha se ka kaluar një situatë të rëndë emocionale që kur Rusia pushtoi pak më shumë se dy javë më parë.

“Miliona ukrainas janë në të njëjtën situatë si unë. Dhe ne ndajmë të njëjtat emocione. Emocioni që ndjeva në ditën e dytë apo të tretë të luftës nuk mund të quhej zemërim; nuk është zemërim, është tërbim për atë që po bën Rusia në Ukrainë. Ditën e parë dhe të dytë, qava si një fëmijë”, tha ai për korrespodentin e CNN nga Ukraina Anderson Cooper.

“Sepse ne kemi fëmijë këtu, ne kemi shtëpi këtu, ne kemi gjërat këtu, dhe ne jemi vërtet një komb paqësor dhe mikpritës. Të gjithë ata që kanë qenë ndonjëherë në Ukrainë mund ta thonë këtë. Por nëse armiku vjen në vendin tim, unë do të luftoj deri në fund dhe do të luftoj deri në vdekje. Do të mbroj tokën time, do ta mbroj fëmijën tim, do ta mbroj shtëpinë time”, vazhdoi ai.

Ai tha se ishte në gjendje të evakuonte shtëpinë e tij në ditën e dytë të luftës dhe ishte kthyer për të ndihmuar familjet e tjera që të largoheshin.

Ai tha se krijoi një grup vullnetarësh për të ofruar furnizime për ata që fshiheshin në strehimoret e bombave në Kiev.

Dayrabekov tha se ky është një moment historik për të dhe djalin e tij.

“Është një moment historik për Ukrainën, moment historik për Evropën, për mua dhe djalin tim… Unë nuk dua të largohem. Unë dua të qëndroj këtu dhe të luftoj”, tha ai.