Borrell: Krimet e kryera në Ukrainë duhet të hetohen nga GJND-ja

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë thirrje që të gjitha rastet nga lufta në Ukrainë të hetohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell ka shprehur gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar Ukrainën në dokumentimin e krimeve të luftës.

Ai po ashtu është shprehur i lumtur që Ukraina ka çliruar pjesën më të madhe të rajonit të Kievit.

“E përgëzoj Ukrainën për çlirimin e pjesës më të madhe të rajonit të Kievit. Jam i tronditur nga lajmet për mizoritë e kryera nga forcat ruse. BE-ja do ta ndihmojë Ukrainën në dokumentimin e krimeve të luftës”.

“Të gjitha rastet duhet të ndiqen, përkatësisht nga Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. BE do të vazhdojë mbështetjen e fortë për Ukrainën”, ka shkruar ai.

Përndryshe, sot është dita e 39-të e luftimeve në Ukrainë që prej se Rusia u fut ushtarakisht aty më 24 shkurt të këtij viti.

 Të dyja vendet janë në negociata, por që deri tani nuk është bërë progres i vërejtshëm.