Borell: Barrikadat duhet të largohen menjëherë

Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka deklaruar se barrikadat në veri të Kosovës duhet të largohen dhe se gjendja duhet të kthehet në normalitet.

Kështu ka deklaruar Borell, para hyrjes në takimin e Këshillit të Evropës, që pritet të diskutohet për gjendjen e sigurisë në Evropë.

“Unë do t’i informoj liderët për situatën dhe do t’u kërkoj [të gjithëve në rajon] që ta qetësojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut – që është rruga e vetme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Është absolutisht e rëndësishme që këto lloj telashe të ndalen, të hiqen barrikadat, të ktheheni në qetësi dhe të ktheheni në diskutime – diskutimi për propozimin që kemi vënë në tryezë, për të kërkuar një zgjidhje koherente dhe të përhershme të tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Borell.

Ai ka thënë se lidhur me gjendjen e krijuar në Kosovë, e ka dërguar Miroslav Lajçakun që të takohet me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

“Ju e dini që ditët e fundit jemi përballur me telashe të mëdha në veri të Kosovës. E dërgova Miroslav Lajçak, Përfaqësuesin tonë Special [për Dialogun Beograd-Prishtinë] në rajon – si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd – menjëherë pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme”, ka deklaruar Borell.

Siç raporton faqja e Shërbimit Diplomatik të Bashkimit Evropian, përfaqësuesi Borell është ndaluar edhe tek çështja e Bosnjes, duke thënë se është koha që ky shtet të nisë realisht rrugën evropiane, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.