Blinken do të takohet në Jordani me ministrat e jashtëm të 5 vendeve arabe

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken do të takohet me mbretin e Jordanisë, Abdullah, pasi u largua nga Izraeli duarbosh për përpjekjet e tij për të siguruar një “pauzë humanitare” në luftën me Hamasin.
Blinken mbërriti të premten në Aman, ku do të takohet me ministrat e jashtëm të pesë vendeve arabe në prani të një përfaqësuesi të Autoritetit Palestinez të Mahmud Abbas.
Në Izrael, Blinken diskutoi me kryeministrin Benjamin Netanyahu idenë e “pauzave humanitare” në luftë për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për popullsinë e Rripit të Gazës të rrethuar.
Por pas takimit të tij me Blinken, Netanyahu paralajmëroi se nuk mund të ketë “armëpushim të përkohshëm” në operacionet izraelite në Rripin e Gazës nëse Hamasi nuk liron pengjet.
Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe përfaqësues të Autoritetit Palestinez do të nënvizojnë në takimin me Blinken “qëndrimin arab, thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm, dërgimin e ndihma humanitare dhe kërkimin e mënyrave për t’i dhënë fund përkeqësimit të rrezikshëm të situatës që kërcënon sigurinë e rajonit”, tha Ministria e Jashtme e Jordanisë në një deklaratë.