Blic: Serbët në Kosovë do të fillojnë përgatitjen e Asociacionit

“Serbët në Kosovë së shpejti do të mblidhen dhe do të fillojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, kështu shkruan mediumi serb “Blic”.

Ky medium duke iu referuar disa burimeve jozyrtare ka bërë të ditur se serbët do të mbajnë një Kuvend në të cilin do të shpallin Asociacionin. “Plani është që së shpejti të fillojë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe organeve të tij, dhe Dragisha Miloviç, mjek i shquar dhe ish-kryetar i Komunës së Zveçanit, do të propozohet për kryetar të parë.” – thuhet ndër të tjera.

Për këtë vendim raportohet se kanë ndikuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më shumë se 10 vjet më parë dhe se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është formuar dhe pas gjithçkaje që kemi duruar ditët e fundit, është e qartë se askush nuk e dëshiron realisht: as qeveria në Prishtinë, as bashkësia ndërkombëtare. Prandaj ne do t’i marrim gjërat në duart tona.” – thotë burimi i gazetës “Blic”.

Sipas Blic, struktura e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të përbëhet nga Kuvendi, Presidenti, Kryetari, Këshilli, Bordi, Administrata dhe Zyra e Ankesave.

Kuvendi, si organi më i lartë, do të përbëhet nga përfaqësues të caktuar nga secili kuvend i komunave anëtare nga radhët e këshilltarëve të zgjedhur. Presidenti do të ndihmohet nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.

Këshilli do të përbëhet nga maksimumi 30 anëtarë nga radhët e banorëve të komunave anëtare, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave anëtare, ndërsa bordi do të përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga kuvendi nga radhët e kryetarëve dhe banorëve të komunave anëtare. Komuniteti do të ketë gjithashtu një administratë, të kryesuar nga një shef, si dhe një Zyrë Ankesash, e cila do të ketë mandat të shqyrtojë ankesat në lidhje me qëllimet.