Bërnabiq: Qëllimi i Kurtit është t’i dëbojë serbët nga Kosova

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se të gjitha mendimet e saj janë me presidentin e Serbisë, i cili sot takohet me kryeministrin kosovar, Albin Kurti në Bruksel.

Siç shtoi ajo, qëllimi i vetëm i Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit.

“Kurti provokon dhe provokon dhe shkon edhe më tutje, edhe më tutje… Dhe atje nuk ka paqe… Të gjitha mendimet e mia sot janë me presidentin Vuçiq”, theksoi Brnabiq.

Madje, Bërnabiq pretendon se qëllimi i Kurtit është “të dëbojë serbët nga Kosova”, tha ajo për TV Prva.

Ajo deklaroi se as pas 10 vjetësh nuk është themeluar Asociacioni duke shtuar se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje energjetike për të ndihmuar serbët në Kosovë.

Theksojmë se takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Fillimisht do të ketë takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi i Kurtit me Borrellin është paraparë të mbahet rreth orës 09:30.

Ndërkaq, takimi trepalësh do të nisë më 10:30. Pas këtij takimi, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.