Bërnabiq: Asociacioni në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq ka folur lidhur me marrëveshjen e arritur dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përmes një interviste në Tanjug, Bërnabiq ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015.

“Më duket se tani, pas bisedimeve në Ohër, është e qartë se Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë do të duhet të formohet dhe se kjo është pika e parë e të gjitha marrëveshjeve të mëtejshme të zbatimit dhe se është krejtësisht e qartë se kjo do të duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015”, tha Bërnabiq.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.