Begaj: Shqipëria është pranë Kosovës për çdo anëtarësim ndërkombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria është pranë Kosovën për anëtarësimin e saj në NATO dhe OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Begaj ka përshëndetur angazhimin e SHBA-së dhe BE-së për dialogun me Serbinë, duke theksuar nevojën për njohje reciproke mes dy vendeve.

“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Kosovës në NATO, OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as agresioni dhe as s’ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së Kosovës.

Angazhim i BE-së dhe SHBA-së është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Kosova për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të gjithë rajonit. E kam të rëndësishme ta përshëndes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirëndërtuar, me njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.