BE planifikon të marrë masa për kriptovalutat, që të parandalojë Rusinë t’i anashkalojë sanksionet ekonomike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, si dhe aleatë të tjerë, do të hapin një njësi speciale që ndihmon në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick B. Garland njoftoi nisjen e Task Force KleptoCapture, dedikuar zbatimit të sanksioneve gjithëpërfshirëse, kufizimeve të eksportit dhe kundërmasave ekonomike që Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët, i kanë vendosur si përgjigje për pushtimin ushtarak rus të paprovokuar ndaj Ukrainës.

Task Force KleptoCapture do të sigurojë efektin e plotë të këtyre veprimeve, të cilat janë krijuar për të izoluar Rusinë nga tregjet globale dhe për të imponuar kosto serioze për këtë akt të pajustifikuar lufte, duke synuar krimet e zyrtarëve rusë, elitave të lidhura me qeverinë dhe atyre që ndihmojnë ose fshehin sjelljen e tyre të paligjshme.

“Departamenti i Drejtësisë do të përdorë të gjitha autoritetet e tij për të sekuestruar pasuritë e individëve dhe subjekteve që shkelin këto sanksione”, ka njoftuar  Prokurori i Përgjithshëm Merrick B. Garland.

“Për ata që forcojnë regjimin rus përmes korrupsionit dhe evazionit të sanksioneve: ne do t’ju privojmë nga streha e sigurt”, ka thënë zëvendësprokurorja e përgjithshme Lisa O. Monaco.

Task Forca KleptoCapture do të ketë prokurorë, agjentë, analistë dhe staf profesional në të gjithë Departamentin, të cilët janë ekspertë në zbatimin e sanksioneve dhe kontrollit të eksporteve, antikorrupsionin, konfiskimin e pasurive, kundër pastrimit të parave, zbatimin e taksave, hetimet e sigurisë kombëtare dhe mbledhjen e provave të huaja, thuhet në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Sipas njoftimit, hetimi dhe ndjekja penale vijnë si përgjigje e pushtimit të Ukrainës, si dhe sanksioneve të vendosura për raste të mëparshme të agresionit dhe korrupsionit rus.

Task Forca do të fuqizohet për të përdorur teknikat hetimore të avancuara, duke përfshirë analizat e të dhënave, gjurmimin e kriptomonedhave, burimet e huaja të inteligjencës dhe informacionin nga rregullatorët financiarë dhe partnerët e sektorit privat për të identifikuar evazionin e sanksioneve dhe sjelljen e pahijshme kriminale.

Ndërkaq, sekuestrimi i aseteve dhe konfiskimet civile të të ardhurave të paligjshme, duke përfshirë pasuritë e paluajtshme personale, asetet financiare dhe komerciale do të përdoren për të mohuar burimet që mundësojnë agresionin rus.

Task Force KleptoCapture do të plotësojë punën e task-forcës transatlantike të shpallur nga Presidenti dhe drejtuesit e Komisionit Evropian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë më 26 shkurt, e cila ka një mision për të identifikuar dhe sekuestruar pasuritë të individëve dhe kompanive të sanksionuara në mbarë botën.

Për këtë, ka folur edhe ministri i financave të Francës, Bruno Le Maire, ai tha se do të punohet për masa shtesë si dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, shkruan CNN.

“Ne kemi vendosur të punojmë për masa shtesë për të forcuar më tej efektivitetin e këtyre sanksioneve dhe për të shmangur çdo anashkalim të sanksioneve të vendosura nga 27 vendet anëtare. Në veçanti do të marrim masa për kriptovalutat, të cilat nuk duhet të përdoren për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian”, tha Le Maire gjatë një konference për shtyp pas një takimi të ministrave të financave të BE-së në Bruksel.

Le Maire shtoi se ndërsa masat e sakta që adresojnë kriptovalutat janë të paqarta, anëtarët e BE-së janë “të vendosur” të fokusohen në këtë fushë për të siguruar efektivitetin e sanksioneve të bllokut kundër Rusisë.