BE-ja del me njoftim për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak, është zgjatur edhe për një orë.

Kështu ka bërë me dije Zyra për Informim e BE-së.

“Takimi i nivelit të lartë është ende në vazhdim, ndaj deklarata për media do të shtyhet rreth orës 13:30. Informacione të tjera do të jepen më vonë”, thuhet në njoftim.

Takimi ka nisur nga ora 10:30, derisa paraprakisht Borrell ka takuar ndaras edhe Kurtin edhe Vuçiqin.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.