Autoritetet e Mariupolit akuzojnë rusët për bombardimin e maternitetit

Autoritetet e Mariupolit akuzojnë rusët për bombardimin e maternitetit

Këshilli bashkiak i qytetit jugor të Ukrainës, Mariupol, ka akuzuar forcat ruse se kanë hedhur disa bomba mbi një materniteti.

“Shkatërrimi është i madh. Ndërtesa e objektit mjekësor ku u trajtuan fëmijët kohët e fundit është shkatërruar plotësisht. Informacioni për viktimat është duke u sqaruar,” tha këshilli, shkruan CNN.

“Një maternitet në qendër të qytetit, një repart për fëmijë dhe një departament i mjekësisë së brendshme … të gjitha këto u shkatërruan gjatë sulmit ajror rus në Mariupol. Vetëm tani,” tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës rajonale të Donetsk.

Ndërkaq, sulmin ajror në një spital në Mariupol, e ka dënuar edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Njerëzit, fëmijët janë nën rrënojat. Mizori! Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtor duke injoruar terrorin?” tha Zelensky në llogarinë e tij në Telegram.

Presidenti përsëri u drejtua ndaj NATO-s për refuzimin e shpalljes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

“Mbyllni qiellin tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por duket se po e humbni njerëzimin,” tha Zelensky.