‘Anonymous’ me mesazh kërcënues për Vuçiqin: Populli i Kosovës nuk është pa mbështetje

haker

Një grup hakerësh të njohur si Anonymous së fundi kanë publikuar një video të tyren ku është një mesazh për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Videoja konkretisht flet edhe për situatën e fundit në Kosovë dhe tensionet në veri të saj.

“Përshëndetje qytetarë të botës, ky është një mesazh nga Anonymous për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ne kemi vënë re se tensionet dhe provokimet luftënxitëse në Kosovën e veriut nga grupet kriminale serbe po përpiqen të provokojnë konflikt të armatosur. Presidenti autokratik serb Aleksandar Vuçiç, një kukull e Vladimir Putinit, po përpiqet të destabilizojë rajonin, duke përdorur mekanizmat e dhunës dhe terrorit të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç, por dihet se përpjekjet e tij do të jenë vetëvrasëse për të”, thuhet në videomesazhin e Anonymous.

Krahas kësaj, përmendet edhe kërkesa e Serbisë, për kthimin e trupave serbe në Kosovës si mekanizmin për cenimin e integritetit territorial të Kosovës.

“Në kulmin e luftës në Ukrainë, Serbia ishte dhe është ende i vetmi vend që shpalli zyrtarisht një aleancë me Rusinë, duke hedhur poshtë thirrjet e vazhdueshme të Perëndimit për t’u bashkuar me sanksionet e Bashkimit Evropian. Jo vetëm kaq, por Vuçiç, kukulla e Putinit, e portretizoi përsëri zellin e tij luftarak si një shkatërrues të stabilitetit rajonal, duke kërcënuar integritetin territorial të Kosovës duke folur për kthimin e forcave serbe në Kosovë, patrullat në zonën kufitare, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që ai vetë krijon, si një justifikim për të shmangur thelbin e problemit: “Lidhja e Serbisë me botën demokratike”.

Videomesazhi flet edhe për sulmet ndaj gazetarëve, policisë, institucioneve të Kosovës si dhe atyre të ndërkombëtarëve.

“Nxitja e dhunës, sulmi ndaj gazetarëve, sulmi ndaj policisë, institucioneve të Kosovës dhe atyre me mandat ndërkombëtar, si dhe vendosja e barrikadave dhe përdorimi i strukturave inkriminuese në veri të Kosovës, është pjesë e strategjisë së qeverisë suaj për të krijuar një gjendje tensioni dhe për ta mbajtur Kosovën dhe rajonin peng të retorikës së së kaluarës. Por ne nuk do të qëndrojmë indiferentë ndaj këtij terrori. Reagimi ynë kolektiv do të jetë vendimtar dhe i menjëhershëm. Anonimët nuk janë një grup i vogël njerëzish të pafuqishëm për t’u injoruar. Ne jemi një kolektiv i organizuar dhe globalisht aktiv i njerëzve të një mendjeje, dhe nëse nuk ndaloni veprimet tuaja të rrezikshme në Kosovë, mesazhi ynë do të jetë i qartë”.

Tutje, në video thuhet se populli i Kosovës nuk është pa mbështetje.

“Ne jemi Anonimë. Ne jemi legjion. Ne nuk falim. Ne nuk harrojmë. Na prit”, përfundon videomesazhi.