Ambasadorja e Sllovenisë reagon pas sulmeve ndaj policisë dhe EULEX-it në veri

Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç ka reaguar pas sulmit që ju është bërë patrullës së EULEX-it në veri.
Përmes një postimi në Twitter, Benedejçiç ka thënë se janë të papranueshme sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë
“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme”, shkroi Benedejçiç.
Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se sulmet ndaj ofruesve të sigurisë duhet të ndalen.
Krahas kësaj, edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar sulmin.
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.
EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.
Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.