Ambasadorët e shteteve hezituese të liberalizimit i shkojnë në zyrë presidentes

Presidentja, Vjosa Osmani ka pritur në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Osmani në takim ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Presidentja Osmani theksoi nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek  të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese”, thuhet në komunikatë.

Tutje Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Ndryshe, në mbledhjen e mbyllur të Këshillit të Bashkimit Evropian është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Siç ka kuptuar REL, ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.