AKK kërkon nga Qeveria fond emergjent për zonat e prekura nga vërshimet

Asociacioni i Komunave të Kosovës sot kanë vizituar Komunën e Skenderajt si zona më e prekur nga vërshimet e fundit, ku janë pritur nga kryetari Fadil Nura.

Në një komunikatë për media thuhet se bordi i AKK-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës krijimin e një fondi emergjent për zonat e prekura nga vërshimet.

“Kjo vizitë u bë për të parë nga afër situatën pas vërshimeve nga të reshurat dhe për t’u solidarizuar me qytetarët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore. Po ashtu delegacioni i Bordit të AKK-së me këtë rast shprehu solidarizim me gjitha zonat e prekura nga vërshimet në komunën e Skenderajit, Istogut, Mitrovicës, Klinës, Podujevës dhe zonat tjera të cilat u prekën nga të reshurat e shiut. Bordi i AKK-së ka kërkuar që Qeveria duhet t’u mundësojë Komunave një Fond Emergjent, pasi që vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit Komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Sipas AKK-së, kërkohet që ky fond të menaxhohet nga komunat.

“Prandaj Bordi kërkon që Fondin Emergjent ta menaxhojnë Komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre. Në këtë takim janë diskutuar edhe mundësitë tjera të bashkëpunimit mes Komunave edhe në rastet e fatkeqësive natyrore”.

Kujtojmë se shumë banorë në Skenderaj kanë kërkuar evakuim pas përballjes me fatkeqësi natyrore. Janë shkatërruar shumë shtëpi dhe gjendja në qytetet është shumë e keqe për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara nga vërshimet.