Abdixhiku pyet Kurtin: Nëse kjo seancë nuk është shfaqje për populizëm, na tregoni se për çka është?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij lidhur me referendumin që Serbia synon ta mbajë në territorin e Kosovës.
Siç ka thënë ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, kjo çështje është mbyllur para se të nisë.
Por, një pyetje ka pasur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ftesën e të cilit Kuvendi po mbanë seancë të jashtëzakonshme për referendumin serb.
“Nëse kjo seancë nuk është shfaqje për populizëm, na tregoni se për çka është?”, ka qenë pyetja që Abdixhiku ia ka drejtuar Kurtit.
Më tej, i është drejtuar me fjalët “Kryeministër, duhet ta kuptoni një gjë; LDK-ja refuzon të shkaktojë përçarje nacionale”.
Sipas Abdixhikut, çështja e referendumit nuk ka nevojë për trajtim parlamentar.
“Për LDK-në mbajtja e referendumit është çështje e mbyllur para se të nisë. Kjo tendencë përveçse jo kushtetuese, është praktike e papranueshme ndërkombëtare”.
“Në rastin specifik referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovës. Prandaj, Kosova ka arsye të dyfishtë ta refuzojë atë. Por, e paqartë për ne mbetet nevoja e mbajtjes së kësaj seance. S’mund ta kuptoj dot”, është shprehur i pari i LDK-së.