Abdixhiku: Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti

Pas dhunës në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se, “Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri”.

Postimi i plotë:

Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet.

Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri.

LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit.

Dhe jemi krenarë për këtë.

Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik.

Prandaj sot vazhdova këtë rrugë. Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, zhvillova takimin e tretë konsultativ, këtë herë me profesorë universitarë e me diplomatë. Mes diskutimeve përmbajtësore për udhëkryqin historik të Republikës dhe nevojën e ndërtimit të masës kritike, gjetëm ide e pikëpamje fundamentale për nismën tonë.

Ky vend, ky shtet, kjo shoqëri ka nevojë për zgjim kolektiv, e vendosje të binarëve euroatlantik. Ju ftoj në këtë rrugëtim!