Ish-komandanti i KFOR-it: Është duruar gjatë retorika luftarake e Serbisë

Ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ndërkombëtarët e kanë duruar gjatë retorikën luftarake të Serbisë

Në një intervistë për DW, Buhler ka thënë se këto situata në Kosovë po i shkakton edhe Prishtina me papajtueshmëri kështu, duke lënë fajtore të dy qeveritë.

“Po, mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka duruar tepër gjatë retorikën luftarake nga Serbia. Por këto situata po i shkakton edhe papajtueshmëria e Prishtinës. Të dy qeveritë janë pjesërisht fajtorë për këtë përshkallëzim, i cili, për fat të keq, është përkrahur edhe nga disa shtete mbështetëse të Kosovës. Kosova ka një fuqi mbrojtëse të stacionuar atje, ka KFOR-in. Ekzistojnë edhe planet përkatëse për mbrojtje në sirtar. Kështu që askush nuk duhet të shqetësohet për këtë. Por duhet të shqetësohemi nëse dikush do t’i zbatojë ca gjëra shumë shpejt, ndonëse ato kaherë janë dakorduar. Problemi i targave nuk është një problem i kahershëm, por kjo nuk është një çështje që duhet të luajë një rol dominues në situatën e përgjithshme në të cilën ndodhet sot Ballkani Perëndimor”, tha Buhler.

Ndërsa, vendimi për largimin e barrikadave, Buhler e cilëson si vendim të duhur, por edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, nuk e quan të duhur.

“Besoj se masat që ka shpallur tani Serbia, gatishmëria për largimin e barrikadave, janë masat e duhura. Besoj se situata ka qenë e rrezikshme deri më tani, sepse gjithmonë ekziston rreziku që në një situatë të tillë të ketë përshkallëzime. Më duket e padurueshme që në Evropën e sotme udhëheqja serbe të ketë urdhëruar ushtrinë të shkojë në kufi, ku është krijuar një kërcënim potencial. Është e padurueshme që udhëheqja e Beogradit të shprehet me këtë retorikë luftarake, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar. Në anën tjetër, nuk mendoj se është e mençur as që qeveria e Kosovës të insistojë në këto detaje, si targat”.

Krahas kësaj, Buhler mendon se KFOR-i ka kapacitete që t’iu përgjigjet situatave të tensionuara në Kosovë.

“Besoj se po, mund t’u përgjigjet. Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse atje ka të stacionuara trupat e NATO-s. Mendoj se nuk ka nevojë të shqetësohemi, se ky konflikt me të vërtetë do të përshkallëzojë. KFOR-i është në gjendje t’i kryejë detyrat e veta dhe do t’i kryejë detyrat e tij, edhe pse sot është me numër më të vogël sesa në kohën time kur isha komandant”.

Kurse, marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Buhler mund të trajtohen nëpërmjet planit franko-gjerman e i cili tani është i mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian.

“Por marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen edhe në frymën e planit të përgatitur nga Franca dhe Gjermania, që ka për bazë gjendjen në Gjermani në vitet 1970 dhe 1980. Kjo është rruga e duhur. Kjo është në të vërtetë pjesë e kontekstit të përgjithshëm të krijuar së fundi, ku Ballkani Perëndimor po merr shumë më tepër vëmendje sesa dikur. Por nuk duhet të teprohet tani me çështje relativisht të vogla, se çfarë targash do të ketë një makinë, e që shkakton pastaj një problem të madh, siç është vendosja e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, e më pas edhe pala kosovare kërcënon se do të zbatojë gjërat me dhunë.

Tutje, Buhler tha se për këto gjëra nuk ka askush mirëkuptim në Evropë.