Lajme

Lista Serbe refuzon propozimin e KFOR-it që reciprociteti për targat të mbetet në fuqi

Lista Serbe, subjekt politik që përfaqëson pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës, përmes një deklarate publike, ka bërë të ditur se ka refuzuar propozimin e komandantit të KFOR-it, Franco Federici. Ky i fundit, u ka propozuar që Njësitet Speciale të Policisë së Kosovë të zëvendësohen me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

Përmes kësaj deklarate, që sipas Listës Serbe është qëndrim i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri, akuzohet Qeveria e Kosovës se po tenton që serbët “t’i fusë në geto”. (Geto – zonë e veçuar në një qytet, ku janë të detyruar të jetojnë njerëzit që i takojnë një race a një feje të caktuar, të cilët përbuzen e përndiqen nga klasat sunduese e nga shteti).

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe, përcjell Shqip.com.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR-it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

Lexo edhe:
Situata në veri – KFOR-i njofton se ka biseduar me palët për ndërprerje të protestës

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës”.

“Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Frederici./SHQIP.com