Lajme

Lista Serbe dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës: Incidenti ka për qëllim për t’i paraqitur serbët ngacmues

Lista Serbe

Lista Serbe e ka dënuar sulmin e sotëm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Në një reagim të publikuar të martën, Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.

“Lista Serbe dënon incidentin që ndodhi herët në mëngjes në komunën e Zubin Potokut kur u dëmtua vetura e policisë së Kosovës. Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t’i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën”, thuhet në reagim.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, përfundon reagimi.

Theksojmë se zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur për Shqip.com se në këtë rast është sulmuar Policia e Kosovës me armë zjarri.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka deklaruar Kelani.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve./Shqip.com