Lajme

Ligjet kalojnë amnistinë pa opozitën, mazhoranca nuk fal protestuesit e Bashës

Komisioni i Ligjeve miratoi amnistinë penale vetëm me votat e mazhorancës, duke i hapur rrugë votimit të këtij drafti në parlament ditën e enjte.

Por demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha refuzuan të votojnë draftin, pasi propozimi i tyre për faljen e protestuesve nuk u pranua plotësisht.

Socialistët sqaruan se nuk mund të falin ata protestues që po ndiqen apo janë dënuar për vepra si kundërshtim i punonjësve të policisë apo përdorimi i lëndëve plasëse.

Por Enkelejd Alibeaj solli në vëmendje se mbi shumicën e protestuesve, që ishin pjesë e tubimeve që opozita zhvilloi në vitin 2019, rëndojnë këto vepra penale pasi policia ka referuar dispozita ekstreme.

“Persekutimi që u ka ndodhur protestuesve zanafillën e ka policia. Dhe për të qenë sa më shumë persekutues ndaj protestuesve u kanë vendosur dhe këto dispozita. Jo vetëm faktit të organizimit dhe grumbullimit të paligjshëm, por kanë çuar dhe dispozita më ekstreme si kundërshtimi i policisë dhe përdorimi i lëndëve plasëse. Kemi vendosur limitin kohor për të mos pasur asnjë lloj abuzimi”, tha Alibeaj.

“Veprat penale që lidhen me tubimet e manifestimet e paligjshme janë përjashtuar nga ndjekja penale por nuk mund të përjashtojmë ata që janë akuzuar për shkatërrimin e pronës me zjarr, kundërshtim të punonjësit të policisë me dhunë apo goditje për shkak të detyrës”, tha Manja.

Por pavarësisht sqarimit të ministrit të Drejtësisë Alibeaj këmbënguli për faljen e protestuesve.

“Nuk jam për të bërë allishverisht. Mbi amendamentet tona s’keni drejtë të fusni duart. Ose pranohen ose jo”, tha Alibeaj.

Për këtë arsye Alibeaj kërkoi më shumë kohë për të parë të gjitha propozimet dhe nuk mori pjesë në votimin e amnistisë në komisionin e ligjeve.

Ligji i amnistisë penale kërkon 84 vota për tu miratuar dhe mazhoranca, e cila ka 78 deputetë, ka nevojë për votat e opozitës për të kaluar këtë ligj. Në kushtet kur demokratët e drejtuar nga Sali Berisha nuk pranojnë të votojnë asnjë draft derisa të plotësohen kërkesat e tyre, socialistët kanë nevojë për votat e Lulzim Bashës. E mbetet për tu parë nëse ditën e enjte mund të arrihet një konsensus mes shumicës socialiste dhe Lulzim Bashës apo drafti i amnistisë do të shtyhet sërish.

/Shqip.com