Lewandowski: E kam dëshmuar që mund ta fitoj Topin e Artë
Ceremonia e ndarjes së Topit të Artë është rikthyer pas dy viteve mungesë dhe do mbahet me datë 29 nëntor të 2021.
Një nga favoritët për ta fituar këtë çmim është Robert Lewandowski i cili ka folur rreth këtij çmimi, shkruan Shqip.com.
Sulmuesi polak, për mediat ka thënë se viteve të fundit ai e ka dëshmuar se mund ta fitoj Topin e Artë.
“Unë e kuptoj që çdo ndeshje e mirë për ekipin kombëtar ose klubin rrit shanset e mia në votim. Unë kam fituar shumë çmime gjatë dy sezoneve të fundit. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se e kam dëshmuar se mund të mendoj për fitimin e Topit të Artë” tha sulmuesi i Bayern Munchen.
Ai po ashtu shtoi se nëse do e fitonte këtë çmim do ishte një nder i madh për të.
“Sigurisht, ky do të ishte një nder i madh. Jam krenar që jam ndër pretendentët. Shpresoj se politika nuk do të ndikojë në atë që e fiton dhe se votimi do të bëhet në bazë të asaj që lojtarët kanë treguar në fushë”, u shpreh për fund numri nëntë i bavarezëve .
Lewa e ka nisur mirë edhe këtë sezonë, pasi ka shënuar shtatë gola në Bundesliga dhe katër të tjerë në Ligën e Kampionëve.
Ai konsiderohet si një nga qendërsulmuesit më të mirë në Evropë viteve të fundit, ndërsa sezonën e kaluar e kishte fituar Këpucën e Artë pasi e kishte tundur rrjetën në Bundesliga plotë 41 herë./Shqip.com