Legjenda e futbollit kroat, nesër në Kosovë

Pas presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Kosovën do ta vizitojë edhe një tjetër personalitet i shquar në botën e futbollit.
Bëhet fjalë për legjendën e futbollit kroat, Zvonimir Boban, i cili në vendin tonë do të arrijë nesër dhe do t’i ketë disa takime. Boban fillimisht do të takohet me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku, i cili do ta presë në MKRS, e më pas edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Gjithashtu, Boban, i cili në Kosovë do të vijë në rolin e shefit të futbollit në UEFA, do të takohet edhe me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa do të mbajë konferencë për media në stadiumin “Fadil Vokrri” para ndeshjes Kosovë – Itali (kualifikimet e Evropianit U-17), që do të luhet po ashtu në stadiumin e kryeqytetit.
Boban është shumë i preferuar për dashamirët e futbollit në Kosovë, sidomos për gjeneratat pak më të vjetra, të cilat e mbajnë mend kur luante për Kroacinë dhe Milanin.