LDK: Qeveria e Vetëvendosjes është duke e kapur AKP-në

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje “është duke e kapur” Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Përmes një njoftimi, ky subjekt opozitar thotë se tre nga anëtarët e Bordit janë pjesë e Vetëvendosje, dy prej tyre ish-kandidatë për deputetë.
“Qeveria e Vetëvendosjes, në vazhdën e kapjes së institucioneve të pavarura, kapi me militantë partiak edhe Bordin e AKP-së; të njëjtit institucion që ia paralajmëruan shuarjen. Në vend të shuarjes, gjithsesi, vendosën në Bord të ri, këtë herë militantë partiak”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Po ashtu, partia që drejtohet nga Lumir Abdixhiu. ftoi Kuvendin e Kosovës që ta refuzojnë “kapjen e institucioneve”.
Ky nuk ishte reagimi i vetëm i Lidhjes Demokratike për këtë çështje.
Këto emërime ata i cilësojnë si “Pronto 2”.
“Ky është episod i ri i Prontos, tashmë me numër rendor 2 dhe me protagonistë e llogo e re”, thuhet në reagimin tjetër.
Partia që tash është në pushtet; Lëvizja Vetëvendosje, ishte kritike në të kaluarën për emërimet në borde.
Akuzonin pushtetet e atëhershme se “kanë hapur shtetin”.
Sipas opozitës, partia që drejtohet nga Albin Kurti “është duke shkelur standardet që i ka ngritur vetë”. /Shqip.com