Lajme

LDK: Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar për zhvillimet që ndodhën sot në Veri të vendit. Përmes një komunikate për media, LDK-ja ka kërkuar nga Qeveria “qartësi dhe plan konkret për gjendjen atje”.

Kjo parti ka thënë se personat e përfshirë të identifikohen dhe të vihen para institucioneve të drejtësisë.

Partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku tha se institucionet e Kosovës duhet të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerë.

“LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë”, thuhet mes tjerash në komunikatë për media.

Komunikata e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.

LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë.

LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë.

LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri.

/Shqip.com